Në një kohë kur gjakrat midis Shqipërisë dhe Greqisë janë rindezur sërish pas vendosjes nga ana e Bashkisë së Finiqit të tableva në greqisht dhe heqjes së tyre nga ARRSH, profesori i Universitetit Bujqësor, Rigers Bakiu ka publikuar në Facebook një tjetër skandal.

Sipas denoncimit të Bakiut, rezulton se Agjencia Europiane e Mjedisit në azhornimin e fundit që i ka bërë hartave të saj, e ka hequr detin Jon nga territori i Shqipërisë dhe i ka kaluar të gjithin Greqisë fqinje.

“Një ditë të bukur pranvere merr vesh se Deti Jon nuk e lag më rivierën e bukur të Shqipërisë. Ai zhduket në raportin e fundit mbi Rajonizimin Detar, përgatitur e publikuar në 2017 nga Agjencia Evropiane e Mjedisit. Ju lutem shpërndajeni sa më shumë, sepse kërkohet një sensibilizim mbarëkombëtar për zgjidhjen e kësaj çështje. Është njoftuar nga unë edhe Kryeministria nëpërmjet Twitter”, shkruan Bakiu.