Negociatat me BE/ Sjellja ndaj Kosovës, Brukseli bllokon Beogradin

Në formë presioni për mosmarrëveshjet e forta me Kosovën, Bashkimi Europian duket se ka përgatitur një përgjigje negative, bllokuese për vijimin e proceseve integruese të Serbisë. Mediet në Beograd thonë se këtë qershor Serbia nuk do të përfshihet në axhendën europiane të bisedimeve për anëtarësim.

Mediet serbe paralajmërojnë një vendim negativ të Brukselit rreth pritshmërive të Beogradit për hapjen e negociatave. Marrëdhëniet e acaruara me Kosovën, provokimet  e vazhdueshme të autoriteteve serbe ndaj zyrtarëve të Prishtinës si dhe nxitja e krizës politike dhe institucionale në veri, duket se do t’i kushtojnë Serbisë.

Sic raportojnë disa medie në Beograd, që u referohen burimeve nga Brukseli, Bashkimi Evropian mund të hapë vetëm një, ose asnjë  kapitull në kuadër të necociatave për anëtarësim.

Madje, e përditshmja “Novosti” shkruan se ekziston mundësia që Beogradit në javët e ardhshme, të mos i hapet asnjë kapitull për të negociuar dhe se në qershor të mos zhvillohet fare konferenca ndërqeveritare e Serbisë në BE.

Analistët në Beograd e lexojnë këtë rezultat të pritshëm, në dy kahe. Serbia do t’i nënshtrohet një dushi të ftohtë, në formë presioni për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Kosovën. Nga ana tjetër kjo përgjigje e Brukselit lexohet edhe si pasojë problemeve të brendshme të BE.

Përgjegjës për ngadalësimin e ritmeve të integrimit evropian të Serbisë, shikohen edhe vende si Kroacia, apo shtete të tjera, të cilat nuk pajtohen me raportet gjithnjë e më të ngushta mes Beogradit dhe Moskës,  shkruan  e përditshmja serbe “Novosti”. Gjithashtu një minus i madh në imazhin e Serbisë në BE, përbëjnë edhe prostestat e përjavshme antiqeveritare që prej dhjetorit të vitit të kaluar.