Na fal Indrit, në brezin e prindërve të tu, që nuk ndërtuam dot një Atdhe normal për ju.

 

Më fal djal! Ndoshta të shqetësoj ty në parajsë dhe familjen tënde në shtëpine e mortit, por unë kam vendosur të flas pak gjatë per ty. Po, po, sepse edhe ti në një jetë të shkurtër na ke folur, të gjithëve, shumë gjatë. Me jetën na tregove se pasioni për punën të mbush me optimizëm. Me vdekjen na mësove se nuk mund të jetohet, me djersën e ballit, në një tokë të minuar. Megjithse në lajme u tha si “pa dashje”, u vrave për një fjalë goje. Unë nuk e besoj kurrë këtë, sepse duhet të kesh moral të të preki aq shumë një fjalë, sado e rëndë të jetë. Lavazhot e trurit, janë urdhëruar që, rastin ta trajtojnë si një incident të radhës dhe jo si një produkt të krizës së thellë social-politike e cila ka degraduar gjithë shoqërinë. Jo djalë, ti e ke “fyer’’ më rëndë agresorin. Ti ishe i gëzuar me djersën e ballit që po montoje një kondicioner në murin e ndërtuar pa djersë. Ti ndjeheshe i lumtur se në fund të ditës do të tepronin ca lekë që të pije një kafe me shokët apo të dashurën. Ai, vrasësi, kishte euro sa të argëtohej me të dashurat në rezortet më relaksuese të Botës, por përsëri nuk ndjehej i lumtur. Ti, një djalë nga Mallakastra, e ke bërë të ndihej inferior pronarin e vilës të stërmadhe në zëmër të Tiranës. Ata, jo se janë trima, por e kanë shumë të lehtë t’i shpëtojnë’’drejtësisë’’. Ti nuk e di se, pasi ‘’mbaruan punë’’ me ty, ata i telefonuan shokut të vishte xhaketën e krimit në shkëmbim të parave që, natyrisht, nuk u mungojnë. Ti për atë ishe viktima e radhës, pasi edhe herë të tjera të njëjtën gjë kishte bërë. Në këtë vënd është kthyer në normalitet që kriminelët t’i shohim me makina lluksoze, rrugëve të Tiranës, të veshur me kostumin firmato të pafajsisë. I dashur Indrit, me vdekjen tënde, në çdo vënd të Botës do provokoje tërmet mediatik dhe social politik. Ne çdo vend normal do ishin thyer ekranet nga zëri i eksperteve të kriminalistikës, psikologëve dhe sociologëve. Dhjetra OJF do nxirnin antarët e tyre në protesta masive. Edhe këtu nuk mungojnë OJF të tilla, që konsumojnë miliona euro të projekteve ndërkombëtare, por janë aktive vetëm në mbrojtjë të drejtave të homoseksualëve. “Fati” jot i keq që si përkisje atij komuniteti. Qindra nëna do mbushnin rrugët duke protestuar për të garantuar më shumë siguri për fëmijët e tyre. Nënat shqiptare shfrytëzuan paradën e rrjeteve sociale për të dhënë ngushëllimin e rastit. Më tej,vazhduan jetën’’normale’’me sy nga televizori për të parë kronikën e zezë të radhës. Edhe kuçedra që ka pushtuar rubinetën e jetës, të përcolli më një fjalë që ai di të thotë më mir, BURG për vrasësit. Për shefin e opozitës ajo ditë ishte shumë ngazelluese. Doli përpara mediave dhe tha sihariqin; nderkombëtarët I premtuan, sipas tij, të dy palë zgjedhjet në një ditë. Vdekja jote, edhe për të ishte ngjarje rutinë. Ti e di i dashur Indrit se edhe ne shqiptarët protestojmë. Natyrishtë, jo për të ulur taksat, por, thjeshtë, për të ndërruar taksidarët. Edhe une kam dy fëmijë pak më të rritur se ti. Kam luftuar t’i mbaj pas vetes këtu në Atdhe. Më ç’armatose Indrit, më bëre të ndjehem vrasës për fëmijët e mi duke i penguar të largohen. Unë dhe gjithë brezi i prindërve të tu ju kërkojmë falje ty dhe moshatarëve të tu, qe nuk arritëm dot tju ndërtonim një Atdhe normal.Ne, të përulur, duhet ta pranojmë me vetëdije të plotë se fajin nuk na e ka Atdheu, por shoqëria jonë e tredhur, thellësishtë e sterilizuar. Indrit, ashtu sic kishe emrin, shpirti të ndriftë në parajsë.