Qeveria fsheh të dhënat, 714 hidrocentrale me koncesion

Eshtë dyfishuar numri i koncesioneve për hidrocentralet. Shifra ka arritur 714 dhe është një numër rreth dy herë më i lartë, sesa të dhënat e bëra publike nga autoritetet, pra qeveria po mundohet të raportojë një shifër më të ulët të numrit të impianteve që prodhojnë energji elektrike.

Në fund të 2015-s, qeveria Rama shmangu metodën e koncesionit për miratimin e hidrocentraleve, por nuk ndaloi miratimin e mëtejshëm të tyre. Qeveria “i privilegjoi” kompanitë private, duke përjashtuar investitorët nga gara me oferta dhe lehtësoi procedurat, duke ia kaluar të drejtën e miratimit ministrit të energjisë e jo komisionit te specializuar të vlerësimit të ofertave.

Nga ai moment intensiteti i miratimit ka qenë i lartë. Vetëm gjatë tri viteve të fundit u miratuan 223 hidrocentrale, afërsisht, gjashtë në muaj. Ndërkohë, procesi i mëtejshëm, kontraktimi i plotë i hidrocentraleve po vijon, deri tani, për çdo tre hidrocentrale të miratuara, ministria ka arritur të nënshkruajë një kontratë përfundimtare.

Viti 2017 rezulton më i ngarkuari, me 60 për qind të numrit të përgjithshëm të hidrocentraleve të miratuara.

Një eksperte e Grupit të Oponencës pranë AKBN-së (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore) shprehu shqetësimin se tani ekziston rreziku për fragmentarizim të mëtejshëm të rrjedhave ujore, duke zvogëluar kapacitetet në favor të një numri më të madh kontratash. Kjo pasi përfitimi ekonomik prej tij është më i vogël sesa dëmi social apo mjedisor që shkakton.

Në janar të këtij viti Belinda Balluku, ministrja e Energjisë njoftoi publikisht shifren 440 hidrocentrale. Por kjo rezulton të jetë e pasaktë, pasi u referohet vetëm të dhënave të Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO).

Sipas informacioneve të kësaj agjensie një nismë e Bankës Botërore për transparencë, e zbatuar prej Ministrisë së Ekonomisë—numri i kontratave koncensionare në fushën e energjisë, të nënshkruara deri tani, mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanive private është 185 dhe i përgjigjet një numri të përgjithshëm prej 466 hidrocentraleve të regjistruara.

Regjistrimi i fundit në listë i përket koncesionit për ndërtimin e digës së Kalivaçit, nënshkruar qershorin e shkuar.

Ndërsa pjesa tjetër e koncesioneve gjenden në listën e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike që nuk janë objekt koncesioni, të miratuara në përputhje me VKM Nr. 822, datë 7.10.2015, “Për miratimin e procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja…”.

Kjo listë, ende nuk është publike por e siguruar përmes një vendimi gjyqësor, pas refuzimit për akses nga Ministria e Energjisë , përfshin 73 kontrata të reja që i përgjigjen 79 hidrocentraleve dhe një regjistri prej 132 propozimesh të pakërkuara për ndërtimin e impianteve për prodhimin e energjisë, të cilat janë miratuar paraprakisht dhe që i përgjigjen 144 hidrocentraleve të tjera.

Kështu, në total, numri i hidrocentraleve të miratuara është 714.

Ky rekord vjen në një kohë kur konfliktet mes grupeve të interesit po shtohen; planet e menaxhimit të baseneve ujore ende nuk janë miratuar dhe kur transparenca e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë po zbehet në funksion të një propagande me shkëlqim të rremë.