
Manushaqe Picari, ka folur mes lotësh në lidhje me ngjarjen e rëndë, ku bashkëshorti i saj Mexhit Picari, vrau ish dhenderin Kudret Saliaj.
Në një prononcim për media Manushaqe Picari tha se ish dhëndëri ka qenë gjithmonë i dhunshëm dhe se gjithmonë e ka rrahur vajzën e saj, Dhurata Saliaj.
Ajo ka treguar se vajza e saj është dënuar më parë për dhunë në familje padrejtësisht, pasi ajo ishte e dhunuara.
Ndër të tjera bashkëshortja e Mexhit Picarit tha se sa herë vazja donte të takonte fëmijët, Kudret Saliaj e ka kërcënuar duke thënë “do ju shuaj si familje”.
“Na ka rënë në qafë përherë, na ka dhunuar si familje, e përzuri vajzën për çështje xhelozie, e çoi atje në mal donte që ta groposte. Vajzën e arrestuan gjoja për dhunë në familje. I thashë që e doja si djalin tim, e ka kërcënuar dje vajzën megjithë gocën, burri im nuk ka pasur armë.
Më ka marrë dje policia dhe më pas kanë bërë kontroll në banesë, vetëm kam ditur që vajza ka pasur divorcin, dhe i kam thënë që të mos ia jepte. Ai paguante lekë në Gjykatë, dhe vajzën nuk e linte që të takonte fëmijët.
E mori burri im i tha kam ditëlindjen kam dëshirë të vish me gjithë fëmijët dhe vajzën. Ai filloi me na sha, më pas e solli vajzën
Pastaj na morën në rajonin numër 4. Gocën e kanë rrahur dhjetë veta, i kanë thyer brinjët, para ca kohësh na tregoi vajza që e kishin rrahur. Burri ishte dy metra, si mund ta rrihte vajza ime atë? Vajza nuk ka pranuar që ti jepte divorcin, ne punojmë tre turne, e di e gjithë lagja, kam punuar gjithë jetën, dhe në ka futur dhëndri në hasmëri.
Kudreti i ka kërcënuar burrin dhe vajzën. “Do ju shuaj si familje” ka thënë. Dhëndri gjithmonë ka qenë i dhunshëm. Thirrja ime është se sheti nuk ka ec mirë, kur dhunohet një grua në vend të futet një burrë në burg, ata fusin gocën,” tha ajo ndër të tjera.
Kujtojmë që në lidhje me ngjarjen e rëndë është arrestuar Mexhit Picari, dhe vajza e tij Dhurata Saliaj, e akuzuar si bashkëpuntore.
Si ndodhi ngjarja – zanafilla e konfliktit
Vajza e Picarit, Dhurata Saliaj ka qenë në proces gjyqësor me bashkëshortin e saj Kudret Saliaj. Sot ata kishin seancën e radhës në Gjykatën e Tiranës. Avokat i Kudret Saliajt ka qenë ish-prokurori Adriatik Cama.
Të gjitha palët ndodheshin në një lokal pranë Gjykatës, duke pirë kafe pak para se të niste gjyqi.
Autori Mexhit Picari ka qenë i ulur në tavolinë me vajzën e tij, ndërsa disa tavolina më tej në të njëjtin lokal, kanë qenë të ulur ish-prokurori Adriatik Cama, bashkë me klientin e tij Kudret Saliaj, shkruan neësbomb.al.
Nuk dihet nëse mes palëve ka pasur ndonjë konflikt para ngjarjes. Këtë do ta zbardhin dëshmitarët në vendngjarje, bashkë me ish-prokurorin tashmë avokat Adriatik Cama. Autori është ngritur nga tavolina e tij dhe ka shkuar në vendin ku ndodhej Kudret Saliaj, duke qëlluar disa herë me pistoletë.
Për pasojë, dhëndri i Mexhit Picarit mbeti i vdekur në vend, ndërsa një plumb në gjoks kapi Adriatik Camën, shkruan neësbomb.al. Ky i fundit ndodhet në Spitalin e Traumës dhe i është nënshtruar një operacioni për shkak se predha e plumbit ndodhet ende në trupin e tij.
Pas të shtënave me armë, Mexhit Picari është larguar nga vendngjarja me një mjet tip Hyundai, por është arrestuar nga Policia e Tiranës afro 50 minuta më vonë.