
Gazetari Artan Hoxha “zbulon një nga pistat” e cila solli ekzekutimin në mes të Tiranës, të “Padrinos së drogës” Behar Sofia. Ky i fundit u vra mëngjesin e datës 25 shkurt te Piramida, pak metra larg shtëpisë.
Sipas Hoxhës, ka dyshime se Behar Sofia nuk ka paguar një sasi të madhe parash, disa miliona euro në Turqi. Kujtojmë se, Behar Sofia të vetmin rekord kriminal që ka në regjistrat e Policisë, është arrestimi me 30 kg heroinë në Stamboll, në vitin 1998.
“Deri tani jemi brenda pritshmërive. Është një nga ato atentate që janë të vështira për tu zbuluar. Do të doja shumë që kjo të zbardhej sepse do të ndihmojë edhe për ngjarje të tjera të kalibrit të lartë. Sofia nuk ishte një personazh i dhunshëm, por në ditët e para pati një kakofoni për informacionin. Por ka një element interesant që nuk ka dalë në media. Behar Sofia më herët ka qenë i përfshirë në fushatën zgjedhore. Shumë të afërt të tij kanë punuar me Damir Fazlliç. Kanë qenë pjesë e stafit të tij.
Ka dyshime edhe për një sasi të madhe parash të papaguar, kryesisht në Turqi, flitet për disa milion euro dhe goditja mund të ketë ardhur si rezultat i kësaj, pasi nuk ka pasur mundësi të paguajë dhe kjo mbetet një nga pistat e hetimit.
Pjesën më të madhe të takimeve ky personazh i bënte në lulishte, është një natyrë tjetër me të cilët ne jemi mësuar. Në këtë rast kam frikë se sa më shumë të kalojnë ditët zbehen shanset për të zbuluar autorët. Deri tani është shumë i vështirë identifikimi i autorit dhe pa gjetur autorin është e vështirë të shkohet tek porositësi sepse kjo duket që është ngjarje me porosi”, u shpreh Artan Hoxha.