
Përparimi, një nga zjarrfikësit e shumtë që po punojnë prej 52 orësh pa pushim për të fikur zjarrin dhe për të gjetur 33-vjeçarin Arjan Salaj, ka folur për mediat duke treguar vështirësitë me të cilat ai dhe kolegët e tij u hasën gjatë aksionit.
Ai tha në Abc se ky mision është më i vështiri që ka pasur në karrierën e tij, teksa thotë se edhe vetë u izolua brenda, por u shpëtua nga kolegët e tij.
Përparimi deklaroi se 33-vjeçarin që mendohet të ketë ndërruar jetë po e kërkojnë me qen shpëtimi, por ende nuk ka asnjë shenjë, ndërsa shtoi se flakët në pjesën më të madhe janë shuar.
Zjarrfikës Përparimi: Përsa i përket zjarrit është në fazat e eliminimit total dhe nga momenti në moment po kërkojmë me qen shpëtimi dhe po tentojmë të gjejmë personin që ka humbur jetën. Në çdo moment që në fillim të zjarrit jemi lajmëruar të gatshëm dhe efektivët e natës kanë qenë në gatishmëri. Kemi ardhur nga banesat dhe morëm pjesë në fikjen e zjarrit. Në 30 vjet në zjarrfikësje kjo ishte situata më e vështirë që kam kaluar. Në momentin e parë që u lajmëruam që kishte person brenda luftuam edhe për të fikur zjarrin edhe për të shpëtuar personin.
Terreni ishte shumë i vështirë. Dua t’i falenderoj kolegët që na janë përgjigjur nga Durrës dhe Elbasani dhe na kanë ndihmuar me pajisje plus që na erdhën dhe ata të Rinasit. Brenda magazinës kishte lëndë oksiduese si këpucët dhe mallra veshmbathje janë oksiduese dhe ka qenë e vështirë shuarja e flakëve. Kemi shpërthyer derën nga përpara dhe u futëm dy linja zjarrfikësish. Unë isha vetë i izoluar aty brenda dhe jam ndihmuar nga kolegët.