
Kryetari i Partisë Agrare, Agron Duka ka folur mbi vendimet e marra nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë kohëve të fundit.
Sipas Dukës këto vendime do ishin mirë të merreshin në një tryezë të përbashkët me të gjithë aletatët e PD-së. Gjithashtu ai shtoi se nevojiten muaj që kreu i Pd-së, Lulzim Basha dhe lideri historik i kësaj partie, Sali Berisha të sqarohen dhe të arrijnë një marrëveshje të përbashkët.
Pasi e gjithë kjo të ndodhë dhe të vendoset se kush është në vërtetë kryetari i kësaj partie, atëhere do të ketë një bashkërendim i të gjitha krahëve të opozitës.
“Do ishte më mirë sikur të kishte tryezë dhe të dilnim me vendime të përbashkëta. Basha pas një deklarate të Ramës për mundësine e rritjes e energjisë del dhe jep zgjidhjen e krizës me 7 pika, ndërkohë Berisha thotë që nuk zgjidhet kjo punë me 7 pika po me rrëzimin e Ramës. Fatkeqsisht nuk do duhen javë dhe muaj që këta të sqarohen. Pasi të sqarohen kush do të jetë lidershipi real i PD, atëhere do të jetë më e mundur bashkërendimi i të gjitha krahëve të opozitës”, tha Duka për “ABC NEWS”.