Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka prezantuar ditën e sotme programin për arsimin, ku fokusin e ka vendosur në rritjen e pagave të mësuesve dhe pedagogëve, përftimin e bursave dhe tekstet shkollore falas për 350 mijë nxënës. Basha tha se ky program është punuar për disa muaj nga specialistët më të mirë të arsimit, si nga Shqipëria, edhe nga jashtë vendit, për t’i dhënë Shqipërisë një plan pune konkret. Një plan pune që sipas Bashës do të ndryshojë rrënjësisht sistemin tonë arsimor.

“Jo më premtime boshe, jo më premtime të pambajtura. Përpara jush janë vetëm angazhimet tona me përgjegjësi të plotë për çdo sektor të jetës tonë. Janë angazhimet tona për të ardhmen tonë të përbashkët që shumë shpejt do të trokasë këtë pranverë. Në politikë angazhimet duhen bërë realitet, përndryshe, si në çdo vend normal, populli e dërgon qeverinë në shtëpi. Fatkeqësisht në këto 8 vite, premtimet u shndërruan në mashtrime dhe manipulime. Jam krenar t’ju prezantoj sot planin tonë të arsimit. Një plan që pas shumë muajsh punë edhe ekspertizë të lartë, e them me bindje se është më i miri për Shqipërinë. Arsimi është baza e shoqërisë tonë. Suksesi i fëmijëve tanë, është suksesi ynë. Nëse ata nuk ia dalin, ne jemi të dështuar. E ardhmja jonë vihet në pikëpyetje.

Basha tha se çdo fëmije duhet t’i garantohen kushtet nga shteti, që të jetë në gjendje të sigurojë jetën dhe të ketë mundësi dhe shanse të ecë përpara, si të gjithë moshatarët në Europë.

“Është e papranueshme për mua që të kemi fëmijë dhe familje shqiptare që nuk janë në gjendje të përballojnë dot kostot e teksteve shkollore! Kjo ka pasoja të pariparueshme për gjithë jetën e tyre. Pa shkollë, pa arsim, pa përgatitje, ata do të ndihen dhe në fakt do të jenë të përjashtuar nga shoqëria, nga tregu i punës. Dhe jo për fajin apo paaftësinë e tyre. Por vetëm sepse qeveria u tregua e padrejtë me ta. Është e papranueshme që fëmijët të detyrohen të braktisin shkollën vetëm sepse e kanë të pamundur prej kushteve sociale dhe ekonomike të familjeve të tyre. Ne duhet të garantojmë që do të bëjmë gjithçka që fëmijët tanë që fëmijët tanë, brezi i ri të marrë një shkollimin dhe profesionin që meriton për jetën. Kjo është beteja më e madhe për të ardhmen e Shqipërisë”, tha Basha.

Programi me 11 pika për Arsimin i PD-së

•             Angazhohem se do të sigurojmë tekste shkollore të reja falas, për 350 000 nxënës. Po kështu fëmijët e të gjitha familjeve në nevojë do të përfitojnë paketa shkollore dhe tekste falas gjatë gjithë arsimit parauniversitar. Ne nuk do të lëmë asnjë fëmijë pa ndihmuar.

•             Ne do të rrisim me 60% pagat e mësuesve dhe as edhe një mësues nuk do të marrë më pak se 700 Euro në muaj rrogë. Kështu ne do sjellim më shumë të ardhura dhe mirëqenie për 35 000 familjet e mësuesve tanë të arsimit parauniversitar.

•             Nëpërmjet programit “Shqipëria fiton arsimin”  ne do të ofrojmë program pas-shkollor dhe ushqim për orët shtesë e cila do t’ju vijë në ndihmë fëmijëve për përforcimin e dijeve të marra. Ky program do ti mbajë fëmijët të sigurt në shkollë dhe larg rrugës.

•             Ne do të sjellim arsimim cilësor për të gjithë. As edhe një nxënës nuk do të lihet pas dore e të diskriminohet. Ne do të arsimojmë çdo fëmijë, pavarësisht statusit të tyre social, ekonomik apo aftësive të kufizuara.

•             Do të japim bursë të plotë për çdo student që vjen nga familje me të ardhura nën 64 000 Lekë. Dhe gjysmë-bursa (50%) për studentët nga familje me të ardhura mbi 64 000 Lekë.

•             Praktika pune të paguara për studentët që bëjnë kërkime shkencore pranë universiteteve tona. Financimi i dedikuar për gratë dhe vajzat në sektorët me përparësi të lartë. Nuk ka as edhe një arsye pse të mos i mbajmë të rinjtë tanë në Shqipëri, po për këtë na duhet të përmirësojmë arsimin e lartë.

•             Angazhohem se do të hartojmë një program arsimor modern, përmes të cilit do t’u japim mundësinë të rinjve të Shqipërisë që duan një profesion, ta mësojnë atë gjatë periudhës së arsimit të mesëm.

•             Ne do investojmë tek studentë të shkëlqyer duke i çuar ata në universitetet më të mira të botës, si dhe duke mbështetur programin Brain Gain (Përfitimi i Mendjeve), i cili nuk do të bazohet më mbi nepotizëm e ndërhyrje politike, por mbi bazën e meritokracisë.

•             Unë angazhohem se do garantoj pavarësinë e universiteteve dhe lirinë e nevojshme akademike, duke e miratuar menjëherë sapo të zgjidhem kryeministër ligjin e ri për arsimin e lartë, në bashkëpunim me akademikët, specialistët më të mirë e vetë studentët.

•             Do të rrisim pagat me 50%, duke ju garantuar pedagogëve paga prej 900 Eurosh në muaj dhe profesorëve paga prej 1300 Euro.

•             Grante për Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, për modernizimin e infrastrukturës fizike e pedagogjike. Ofrimi i arsimit të lartë të digjitalizuar, me investim në vlerën 40 milionë dollarë, me fokus laboratorët e parqet e teknologjisë së informacionit, zona me internet falas dhe pajisje të  teknologjisë së informacionit.

Basha: Program pas shkollor me ushqim në shkolla

Lulzim Basha tha se në shkollat parauniversitare do të ofrojë programe pas shkollore me ushqim në mënyrë që fëmijët të përforcojnë dijet dhe të mos rrinë në rrugë.

“Angazhohem që nëpërmjet programit “Shqipëria fiton arsimin”  ne do të ofrojmë program pas-shkollor dhe ushqim për orët shtesë e cila do t’ju vijë në ndihmë fëmijëve për përforcimin e dijeve të marra dhe do t’i mbajë fëmijët të sigurt në shkollë dhe larg rrugëve”, tha Basha.

Basha: Kurse private falas për gjuhët e huaja për çdo të ri deri në 35 vjeç

Një tjetër pikë e programit të PD për arsimin ishte edhe dhënia e kurseve private falas për gjuhë të huaja për çdo të ri deri në moshën 35 vjeç përmes një programi të dedikuar.

” Do të ofroj për çdo të ri dhe çdo të rritur shqiptar deri në 35 vjeç kurse private pa pagesë të platformës së mirënjohur amerikane Wducation World Wide për 5 gjuhë të huaja—anglisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht dhe italisht! Të rinjtë tanë në shkolla dhe ata në tregun e punës duhet dhe do të jenë gati për investimet e mëdha që do të vijnë në Shqipëri me qeverinë e re, do të jenë gati për të mbushur vendet e reja të punës në turizëm, në prodhim, IT apo shërbime”, tha Basha.

Basha: Bursë e plotë për studentët për familjet në nevojë! Praktika të paguara për kërkime shkencore

Krydemokrati Basha ka premtuar se për studentët që vijnë nga familje më të ardhura nën 64 mijë lekë do të marrin bursë të plotë, ndërsa do të paguaj praktikat për studentët që bëjnë kërkime shkencore.

“Do të japim bursë të plotë për çdo student që vjen nga familje me të ardhura nën 64 000 Lekë. Dhe gjysmë-bursa (50%) për studentët nga familje me të ardhura mbi 64 000 Lekë. Praktika pune të paguara për studentët që bëjnë kërkime shkencore pranë universiteteve tona. Financimi i dedikuar për gratë dhe vajzat në sektorët me përparësi të lartë. Nuk ka as edhe një arsye pse të mos i mbajmë të rinjtë tanë në Shqipëri, po për këtë na duhet të përmirësojmë arsimin e lartë”, tha Basha.

Basha premton rritje pagash: Mësuesit do marrin 700 euro, 900 euro për pedagogët

Lulzim Basha tha se me programin e PD për arsimin do të ketë rritje të pagave për mësuesit ku asnjëri nuk do marrë më pak se700 euro dhe për pedagogët që do të marrin 90 euro dhe profesorët 1300 euro.

“Ne do të rrisim me 60% pagat e mësuesve dhe as edhe një mësues nuk do të marrë më pak se 700 Euro në muaj rrogë. Kështu ne do sjellim më shumë të ardhura dhe mirëqenie për 35 000 familjet e mësuesve tanë të arsimit parauniversitar. Do të rrisim pagat me 50%, duke ju garantuar pedagogëve paga prej 900 Eurosh në muaj dhe profesorëve paga prej 1300 Euro”, tha Basha.

 

Comments are closed.