
Në Shqipërinë tonë të vogël, plot me probleme ekonomike, sociale, aktuale, probleme të pazgjidhura të së shkuarës dhe konfuzionit të së ardhmes, të flasësh për barazinë gjinore duket sikur është luks. E në fakt, lidhur ngushtë me barazinë gjinore është edhe e drejta e jetës. Kush nga ju mund të mohojë se nuk duhet folur për jetën, për jetën e dlirë, jetën e ëndrrave, jetën e dëshirave, jetën e prangosjes?
Për fat të keq, shumë vajza dhe gra në Shqipëri mund të flasin vetëm për jetë të nënshtruara, jetë me dhimbje dhe iluzione të humbura…jetë që nuk iu përket atyre dhe që mund ta humbasin nga momenti në moment. Jam e prekur thellësisht nga ngjarjet e ditëve të fundit, ku shumë gra në mënyrë tragjike janë vrarë, torturuar dhe poshtëruar! Pa dyshim, ne jemi një vend me rrënjë të forta patriarkalizmi, aty ku e qara e një bebeje vajzë mbytet nga zhurma e pushkës për gëzimin e papërshkrueshëm të lindjes së një bebeje djalë. E gjatë rritjes, përsëritet refreni i vazhdueshëm se vajzat janë pronë e babait, vëllait, kushërinjve, burrit të ardhshëm të zgjedhur me kujdes nga familja, fisit të tij…është pronë e kujtdo përveç vetes…ajo nuk ka pse të mendojë, as të ndiejë, sepse nuk do ta pyesë askush për asgjë…ajo duhet të dijë vetëm të shërbejë kokëulur, të qëndrojë gojëkyçur dhe të ketë kujdes që të mos njollosë nderin e burrave plot moral dhune të shtëpisë. Nderin? Po po nderin! Po çfarë është nderi, nderi i një vajze, nderi i një familje?A të lejon nderi të dashurosh, të ëndërrosh, të jesh e lirë në çdo frymëmarrje, të buzëqeshësh për kujtimet? Apo nderi të lejon të dhunosh, të izolosh, të fyesh, të tregohesh ç`njerëzor? Kujt i shërben nderi, jetës apo vdekjes, buzëqeshjes apo lotit?Edhe për hir të nderit, ne vajzave dhe grave na mësojnë vazhdimisht që të kemi kujdes sesi sillemi, sesi vishemi, sepse bota jashtë është e rrezikshme dhe ne duhet të respektojmë kodet morale. Ky edukim nuk ndodh për djemtë, duke na bindur se jemi të dobta dhe të paafta për të mbrojtur veten. Rrjedha e kohës ka treguar praktika të tmerrshme. Vajza dhe gra që groposen të gjalla, vajza dhe gra që iu thyhet shtylla kurrizore vetem sepse kane lindur te tilla, vajza dhe gra që shfrytëzohen për triumf lufte, që iu mohohet e drejta mbi trupin e tyre, që shërbejnë si skallve, që personifikohen si shtriga, të paafta dhe gjithmonë si seksi i dytë i dobët. Nuk e di sa e sa vajza kanë humbur në shkretëtirën e harresës sepse askush nuk ka njohur arritjet e tyre, shpikjet e tyre, kontributin e tyre në shoqëri. Por unë bësoj se historia duhet të marrë një rrjedhë të re…besoj që kemi nevojë të gjithë sëbashku të shkruajmë një kapitull të ri, një kapitull ku djemtë nuk qëndrojnë mbi vajzat, as vajzat mbi djemtë, por vazjat dhe djemtë kanë të njëjtat mundësi dhe vlerësohen në mënyrë të barabartë, pavarësisht faktit nëse janë vajza dhe djem.
Të dashura gra dhe vajza, gjeni kurajo për të qenë vetvetja, për të tejkaluar rregullat rixhidë moralë në një shoqëri që lufton për nënshtrimin tuaj. Të dashur djem dhe burra, nuk është trimëri të dhunosh, abuzosh, vrasësh, trimëri është të gjesh mençurinë dhe zgjuarsinë për të përballuar jetën. E dashur shoqëri, mbani mend fort, se të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut, sot e përgjithmonë!
TANA ALIAJ ( Psikologe klinike)